12 këshilla për një tru të shëndetshëm

Truri i çdo njeriu ndryshon me kohën. Rënia mendore është e shpeshtë dhe përbën një prej pasojave më të frikshme të plakjes. Por, kjo rënie nuk është e pashmangshme. Më poshtë lexoni 12 mënyrat që ndihmojnë në ruajtjen e funksionit të trurit.

1.Ushtrimet e nxitjes mendore

Shkencëtarët, nëpërmjet studimeve të kryera te minjtë dhe njerëzit, kanë zbuluar që aktivitet mendore nxisin formimin e lidhjeve të reja ndërmjet qelizave nervore, madje mund të ndihmojnë edhe në formimin e qelizave të reja, zhvillimin e “plasticitetit” neurologjik dhe ndërtimin e rezervave funksionale, të cilat ofrojnë një mburojë kundër humbjeve të ardhshme qelizore.

Çdo aktivitet nxitës i të menduarit ndihmon në ruajtjen e trurit. Lexo! Merr pjesë në kurse të ndryshme! Provo gjimnastikën mendore, siç janë zgjidhja e problemeve matematikore apo e gjëegjëzave. Eksperimento me aktivitetet që kërkojnë  shkathtësi të dorës, siç janë vizatimi, piktura apo veprimtari të tjera.

2. Ushtrimet fizike

Studimet kanë treguar se mendja ndihmohet edhe nga përdorimi i muskujve. Kafshët që kanë aktivitet fizik të rregullt rrisin numrin e enëve të vogla të gjakut, të cilat transportojnë gjakun e pasur me oksigjen në pjesët e trurit përgjegjëse për mendimin. Ushtrimet fizike nxisin edhe zhvillimin e qelizave të reja nervore, si dhe shtimin e lidhjeve midis qelizave të trurit (sinapsat). Për rrjedhojë, truri është më efikas, ka plasticitet, si dhe është më përshtatës. Këto përkthehen në performancë më të mirë gjatë plakjes. Ushtrimet fizike ndikojnë edhe në uljen e tensionit arterial, përmirësimin e nivelit të kolesterolit, ekuilibrimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe në uljen e stresit mendor. Të gjitha së bashku ndihmojnë trurin dhe zemrën.

3. Përmirësimi i dietës

Ushqyerja e mirë i ndihmon jo vetëm mendjes, por edhe trupit. Për shembull, njerëzit që konsumojnë dietën Mesdhetare, e cila në vetvete përmban fruta, perime, peshk, arra, vaj të pasaturuar (vaj ulliri) dhe proteina me burim bimor, kanë më pak gjasa të kenë ulje të aftësive mendore (ulje konjitive) dhe demence.

4. Përmirësimi i presionit të gjakut

Presioni i lartë i gjakut në moshën e mesme rrit riskun e uljes së aftësive mendore gjatë pleqërisë. Ndrysho stilin e jetës, ashtu që presioni i gjakut të jetë sa më i kontrolluar. Qëndro në peshë të përshtatshme trupore, ushtro rregullisht, kufizo konsumimin e alkoolit në dy pije në ditë, pakëso stresin dhe ushqehu mirë!

5. Përmirësimi i sheqerit në gjak

Diabeti është një faktor risku i rëndësishëm për demencën. Masat që ndihmojnë në parandalimin e diabetit janë ushqyerja e saktë, ushtrimet e rregullta fizike dhe ruajtja e peshës trupore. Por, nëse niveli i gjakut mbetet i lartë, atëherë duhet filluar mjekim për të arritur një kontroll të mirë.

6. Përmirësimi i kolesterolit

Nivelet e larta të LDL (yndyra “e keqe”) shoqërohen me rritjen e rrezikut për demence. Dieta, ushtrimet fizike, kontrolli i peshës dhe shmangia e duhanpirjes përmirësojnë dukshëm nivelet e kolesterolit. Por, nëse keni nevojë për më shumë ndihmë, pyesni mjekun rreth mjekimit të mundshëm.

7. Aspirina me dozë të ulët

Disa studime sugjerojnë se aspirina me dozë të ulët mund të pakësojë rrezikun për demence, sidomos atë vaskulare. Pyesni mjekun nëse jeni kandidat i mundshëm.

8. Shmangia e duhanit

Shmangni të gjitha format e duhanit.

9. Mos abuzimi me alkool

Konsumimi i tepruar i alkoolit përbën faktor madhor risku për demence. Nëse keni zgjedhur të pini, duhet të kufizoheni në dy pije në ditë.

10. Kujdesi ndaj emocioneve

Njerëzit me ankth, depresion, mungesë gjumi apo lodhje të vazhdueshme kanë prirje të fitojnë më pak pikë në testimet e funksionit konjitiv (mendor). Kjo gjë jo doemos parashikon rrezikun e shtuar për ulje të funksionit mendor në pleqëri, por një shëndet i mirë mendor dhe gjumë i rehatshëm janë qëllime shumë të rëndësishme.

11. Mbrojtja e kokës

Dëmtimet e rënda dhe mesatare të kokës, madje edhe kur kontuzioni (shtypja) nuk diagnostikohet nga ana e mjekut, shtojnë rrezikun e dëmtimit mendor.

12. Shoqëria

Lidhjet e forta shoqërore (pa dyshim edhe familjare) shoqërohen me ulje të rrezikut për demence, ulje të presionit të gjakut dhe rritje të jetëgjatësisë.

Bazuar dhe përshtatur nga: Harvard Health Publishing.

Shënim: Rekomandojmë fuqimisht të lexoni politikat e faqes për kushtet e përdorimit të përmbajtjes

Leave a comment